Ambasadorët e Edukimit Jo-Formal

29 tetor 2025, Youth4Society zhvilloi aktivitetin “Ambasadorët e Edukimit Jo-Formal”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Rinisë së Bashkisë Tiranë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të promovuar edukimin joformal si një instrument kyç për fuqizimin e të rinjve, punësimin dhe pjesëmarrjen aktive në jetën e komunitetit.

Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën Publike “Misto Treska”, duke mbledhur 40 të rinj, punonjës rinorë dhe përfaqësues të organizatave lokale nga Tirana dhe zonat përreth. Gjatë ditës, pjesëmarrësit morën pjesë në punëtori ndërvepruese të bazuara në metodologjitë e edukimit joformal, që synonin zhvillimin e aftësive për komunikim, prezantim, bashkëpunim dhe mendim kritik — kompetenca thelbësore për tregun e punës në epokën e inteligjencës artificiale.

Në kuadër të projektit “Youth Ambassadors of Non-Formal Learning – Phase 2 (YAMNFL2)”, Youth4Society prezantoi Manualin Trajnues mbi Edukimin Jo-Formal me mbështetjen e Bashkisë Tiranë. Manuali përmban modele punëtorish dhe ushtrime praktike të fokusuara në zhvillimin e kompetencave personale dhe profesionale si komunikimi efektiv, vetëprezantimi, menaxhimi i kohës dhe vendosja e qëllimeve.

Dy punëtoritë kryesore të aktivitetit – “Pitch Your Idea” dhe “Take the Initiative” – ndihmuan të rinjtë të përgatisin dhe prezantojnë ide për punësim, përfshirje rinore dhe zhvillim komunitar, duke i inkurajuar ata të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të marrin iniciativë për ndryshim.

Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit ndanë reflektimet e tyre dhe morën certifikata pjesëmarrjeje në format elektronik, duke vlerësuar përvojën si frymëzuese dhe motivuese për zhvillimin e mëtejshëm personal dhe profesional.

Ky aktivitet ishte një shembull konkret i mënyrës se si edukimi joformal mund të krijojë hapësira ku të rinjtë mësojnë, bashkëpunojnë dhe nxisin ndryshime pozitive në komunitetin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.